Ca javë më parë shkrova një artikull të titulluar Qeveri Mercenare, ku argumentova se qeveria nuk mund t’u përgjigjet dot protestave, sepse po t’u përgjigjej do të shpërbëhej si qeveri. Kjo sepse qeveria përdor aksesin te shteti si vegël për të kontrolluar qytetarët, dhe këtë e bën nëpërmjet mercenarëve. Kështu e ka ngritur koalicionin e saj, dhe kështu qeveris. Natyrisht mercenarët nuk janë në qeveri për ndonjë arsye ideologjike apo patriotike. Janë aty thjesht sepse kanë një biznes (ca biznes të vogël e ca të madh) që e konverton këtë akses në përfitime. Në momentin që qeveria u mbyll aksesin, ata largohen.
Ajo që nuk thashë qartë herën e fundit është që, si mercenarë, këta njerëz dinë të bëjnë vetëm llogari, dhe pjesëmarrja e tyre në qeveri është thjesht një tip llogarie e ftohtë: ia vlen apo nuk ia vlen të qëndroj brenda. Ia vlen kur rreziku është relativisht i ulët, d.m.th. probabiliteti që të të trokasë SPAK-u te dera është minimal, dhe shumat e përfitimit janë të majme. Në të kundërtën, nuk ia vlen. Disa mund të kenë ndonjë lloj besnikërie ndaj Ramës, por shumica janë thjesht mercenarë. Suksesi i protestës është që ka filluar të lëvizë ekuilibrin e llogarisë. Dalëngadalë, peshorja po anon në anën e kundërt.
Ta shtjellojmë pak më tej si ide.
Në pamje të parë mund të duket sikur me protestat rritet rreziku për mercenarët, sepse rritet mundësia që qeveria të bjerë, dhe si rrjedhojë rritet mundësia që këta mercenarë të mbeten pa mburojën e shtetit. Si qytetarë privatë do ta kishin shumë më të vështirë të mbronin veten në gjyq. Pra, në pamje të parë duket sikur protestat e bëjnë të mundshëm largimin e tyre nga qeveria.
Me këtë argument ka një problem thelbësor. Ato që kanë bërë tashmë mercenarët, firmat fallco, përvetësimi i pronës, lidhjet me narkotrafikun, të gjitha janë bërë; dalja nga qeveria nuk i zhbën dot. Kështu që dorëheqja i lë pa mburojën e shtetit, dhe asnjëri nuk ia del dot prokurorëve si qytetar i thjeshtë. Kështu që çështja është pak më e koklavitur. Si t’ia bëjë mercenari i ngratë kësaj dileme? Çfarë opsionesh ka?
Vini veten në pozitën e tij apo të saj. Ato firma që janë vënë janë vënë, nuk kthehen dot mbrapsht. Por mercenari ka akoma diçka në dorë: mund të vërë një firmë tjetër, të manipulojë një blerje apo tender tjetër, të marrë dhe një tokë tjetër. Çdo veprim i ri e shton listën e fajeve, dhe bëhet edhe më i kushtueshëm për të, nëse shumë prej atyre rreth tij u ka trokitur SPAK-u te dera. Kështu që më mirë mos e vër atë firmën, apo mos e manipulo atë tender. Ç’të duhet, pse t’i shtosh rrezikun vetes? Pra, mercenarët jo se duan të dalin nga qeveria, thjesht nuk kryejnë më funksionin për të cilin janë zgjedhur. Në këtë rast, allishverishet e qeverisë bëhen gjithnjë e më të vështira, sepse makineria e mercenarëve që i zbaton ato fillon e ngec.
E gjithë kjo varet nga mburoja e shtetit për mercenarët. Domethënë, a i mbron dot qeveria të gjithë ata që kanë kryer aktivitete të jashtëligjshme në emër të saj? Në shkurt të këtij viti, mburoja e bëri punën e vet. Balluku, e akuzuar për një sërë aktesh korrupsioni, u ul në detyrë, por nuk iu hoq imuniteti. Kurse këtë javë mburoja dështoi: Vlora Hyseni u hoq nga detyra dhe u vu në arrest shtëpie, një ditë mbasi u bënë publike akuzat. Shiheni këtë nga pikëpamja e një mercenari të ngratë: rrethi po ngushtohet, mburoja e shtetit nuk të mbron më me siguri. Partia do të mbrojë disa nga të akuzuarit, por jo të gjithë, sepse me protestat dhe vëmendjen e plotë të BE-së nuk e bën dot. Po sikur të të bjerë lapsi ty, a ke siguri se mburoja e shtetit do të të jepet? Kur e hëngri edhe shefja e inteligjencës, çfarë garancie ke ti që nuk do të të vijë radha?
Mercenari që e ka dosjen plot me veprime të paligjshme, në këtë rast ka dy opsione: ose të rrijë brenda qeverisë, por ta mbajë dorën me firmat dhe allishverishet, ose të kërkojë rrugëdalje duke bashkëpunuar me drejtësinë. Këtë të dytën mund ta bëjë që të ulë dënimin e vet. Rrugëdalja nuk është pa rreziqe, por mercenari ose do ta kërkojë mbrojtjen te mburoja e qeverisë, ose do ta kërkojë duke bashkëpunuar me drejtësinë. Në rastin e dytë, ai ka mjaftueshëm informacion nëpërmjet rrjetit që ka ngritur, dhe mund ta implikojë rëndë atë rrjet. Ajo veçori që e bëri mercenar efektiv, rrjeti, tashmë bëhet armë në duart e tij për bashkëpunim me drejtësinë, duke e zbuluar atë. Në këtë rast, sa më i implikuar mercenari, aq më shumë shtytje ka për të bashkëpunuar. Ky lloj efekti fillon e shumohet dalëngadalë. Dikush flet, sqarohet rrjeti, lidhjet bëhen gjithnjë e më të dukshme. Rrjeti këtë natyrë ka: po u kapën disa nyje kyçe, fillon e zhbëhet i tëri dalëngadalë. Hetimi i AKSH-it kështu filloi: një telefon i kapur aty, një komunikim i përgjuar diku tjetër, dhe rrjeti u qartësua. Nuk është e nevojshme të bashkëpunojnë të gjithë, vetëm disa nyje kyçe janë të rëndësishme. Rastet e SPAK-ut po shumohen gjithnjë e më shumë; dalëngadalë rrjeti do të bjerë.
Edhe diçka tjetër: kur mbrojtja e shtetit bëhet gjithnjë e më e pasigurt, mercenarët fillojnë të formojnë klane brenda qeverisë. Kur diçka bëhet e pakët, si për shembull mbrojtja e shtetit, klane të ndryshme fillojnë të luftojnë njëri-tjetrin që të mbeten sa më afër shtetit. Në këtë luftë klanore, fillojnë të dalin jo vetëm të akuzuar, por edhe rrjeti i ngritur midis tyre dhe shtetit. Sa më shumë që mercenarët të kenë dyshim se shteti do t’i mbrojë, aq më shumë do të luftojnë me njëri-tjetrin, dhe aq më shumë viktima do të ketë në këtë luftë ndërgrupore.
E ç’hyjnë protestat këtu? Protestat nuk krijuan SPAK-un, nuk hetuan AKSH-in, nuk kanë efekt zbatues të drejtpërdrejtë. Protestat ndikuan në tri gjëra kryesore. E para: pasiguria e qeverisë. Një qeveri që ka fituar katër mandate e ndien veten të sigurt. Një mercenar që bënte një nder sot për ta përdorur mbas ca vitesh nuk e ka më atë sigurinë që kishte më përpara. Po sikur të bjerë qeveria? Nëse e ardhmja nuk është e sigurt, dallaveret janë më kostoze. E dyta: dikur qeveria kishte mjete për të ngadalësuar hetimet. Një ndryshim ligji, një vonesë, një votë e fshehtë në parlament, të gjitha këto dikur kalonin pa u vënë re. Sot çdo vendim i qeverisë kalon në sitën mediatike dhe në atë të Brukselit. Ky i fundit e ka lidhur anëtarësimin me përfundimin e rasteve të korrupsionit. E treta: vëmendja ndërkombëtare. Përpara se të fillonin protestat, Shqipëria dilte nëpër media ndërkombëtare vetëm kur flitej për ndonjë gjë ekzotike si Diella apo plazhet e Ksamilit. Sot në Tiranë kanë zbritur një tufë gazetarësh dhe artikujt nuk po ndalojnë. Kjo i ka shtyrë politikanët evropianë të ballafaqohen drejtpërdrejt me kryeministrin. Shqipëria tashmë është nën lupën e jashtme. Reagimi i qeverisë ndaj protestave e konfirmon këtë tezë. Po të mos e besonte vetë qeveria këtë rrezik që i kanoset nga protestat, nuk do të kishte reaguar kaq keq dhe nuk do të ishte munduar t’i denigronte ato. Nuk do të mundohej, t’i quante agjentë të huaj, hupes etj. Kryeministri u ankua edhe në OKB për protestat, duke i quajtur antisemitë. Deri në OKB vajti çështja! Një qeveri që beson me të vërtetë që protestat janë në rënie nuk e shpenzon të vetmin fjalim që ka në skenën ndërkombëtare duke u ankuar për to. The fear is real!
Çfarë mund të parashikojë kjo tezë për të ardhmen? Kemi tre tipa mercenarësh. Të parët janë ata që nuk janë përfshirë keq në allishverishe, zakonisht sepse sapo janë futur në qeveri. Bile, nuk do t’i quaja as mercenarë këta, por më shumë kandidatë për mercenarë. Ministrja e Shëndetësisë, për shembull, një mjeke me karrierë fort të mirë jashtë Shqipërisë, zgjati pothuajse një vit. Po ashtu edhe Mariana Koçeku. Për ta kostoja e dorëheqjes është e ulët. Kështu që këta janë të parët që ikin, se nuk janë të implikuar dhe kanë opsione të mira jashtë qeverisë. Me kohë do të fillojnë të ikin këta të parët. Grupi i dytë janë ata që janë implikuar disi, por jo aq rëndë. Këta syresh fillojnë të refuzojnë firmën, se kanë frikë. Ky është efekti më i rëndësishëm dhe më pak i dukshëm, se nuk ndihet në ngjarjet e ditës, por ngadalëson makinerinë e korrupsionit. Grupi i tretë janë ata që janë të implikuar rëndë. Siç e thashë më lart, ky grup ka dy mundësi: ose të bashkëpunojë me drejtësinë, ose të dyfishojë përpjekjet për të mbajtur qeverinë gjallë. Këta të fundit janë më të rrezikshmit, se nuk kanë ç’të humbasin. Janë gati të paguajnë çfarëdo lloj çmimi që të shpëtojnë. Prej tyre do të vijë edhe dhuna kundër protestuesve. Së fundmi, e gjithë kjo makineri ishte dikur e suksesshme sepse nëpërmjet mercenarëve mblidhte vota. Dalëngadalë, kjo makineri do të ngecë dhe nuk do të ketë të njëjtën mundësi për mbledhje votash. Nëse në muajt që vijojnë këto parashikime nuk dalin, modeli i mësipërm është defektoz.
Protestuesit duan rënien e qeverisë. Qeveria nuk bie, sepse i ka rrënjët e thella në një sistem 35-vjeçar që e kemi ndërtuar vetë duke votuar për njerëz të cilët ishin të korruptuar, diçka që e dinim fort mirë. Por kjo nuk do të thotë që protestat nuk kanë efekt, ndonëse ky efekt është i paparashikuar nga vetë protestuesit. Asnjë nga ne që del në rrugë nuk e mendoi çështjen kaq hollë sa ç’shkrova më sipër. Por efekti është real, dhe duket në reagimin e qeverisë ndaj kërkesave të protestës. Qeveria vonon, mundohet të përçajë protestuesit, i quan jolegjitimë, bën ndonjë gjest kozmetik ndaj Brukselit. Por ajo që do t’ia shkërmoqë koalicionin as nuk është fare pjesë e kërkesave të protestuesve; është thjesht llogaria aritmetike që bëjnë në kokë vetë mercenarët e qeverisë. Frika është motivues i shkëlqyer për njerëzit në përgjithësi, e për mercenarët në veçanti.
Herën e kaluar shkrova se qeveria s’mund t’u përgjigjej protestave pa u zhveshur nga guna mercenare. Sot do ta thosha më ashpër: s’ka më opsione fare. Për çdo firmë të pavënë, gunës mercenare po i bie nga një shtëllungë leshi, derisa të mbetet qeros.


