Çfarëdo që të thonë mediat pro qeveritare, dhe çfarëdo që të duan ata që e kanë lidhur karrierën dhe kuletën me qeverinë, protestat nuk duket të kenë të sosur. Kjo sepse kërkesa e protestës është thelbësore: kërkon një rindërtim të sistemit politik shqiptar. Këtë qeveria nuk e pranon dot, sepse do të sillte fundin e koalicionit që ka ndërtuar. Mbështetjen politike ajo e ka bazuar tek aksesin në shtet, dhe duke ua shpërndarë këtë akses ndërmjetësve besnikë, që në këmbim i gjejnë vota. Siç e kam shkruar dhe më parë, gjithë kjo makineri vajoset me paratë e korrupsionit. Prandaj çdo hap që do t’i qetësonte protestuesit, administratë e jopolitizuar, institucione të pavarura, frenimi i korrupsionit, do të priste degën ku rri vetë qeveria.
Qeveria në pamje të parë duket e fortë: ka shumicë parlamentare dhe epërsi elektorale. Por dobësia e saj duket qartë në sjelljen përballë protestave. I mohon, i denigron, u kërkon motive të fshehta dhe influenca të huaja, dhe përtej gjërave kozmetike1 nuk ofron dot asnjë përgjigje politike. Pikërisht kjo ia tregon dobësinë. Është e mbërthyer në një sistem nga i cili nuk del dot. Sistemin që e mban në këmbë mund ta reformojë, por kjo do të thonte fundin e koalicionit që e mban gjallë.
Sepse ky nuk është koalicion i zakonshëm. Në një koalicion normal, mbështetja fitohet me politika e shërbime publike, me një program që tërheq një sektor të gjerë të shoqërisë. Në Shqipëri, meqë institucionet s’janë të pavarura dhe administrata s’është e paanshme, vetë aksesi te shteti kthehet në epërsi politike. Koalicioni ngrihet rreth këtij aksesi, dhe kjo është lënda e parë që e mban makinerinë në lëvizje. Hiqja këtë lëndë të parë dhe makineria fiket. Ja pse reforma është e pamundur për këtë qeveri. Le ta paraqesim argumentin pjesë pjesë.
Aksesi si monedhë
Nuk dua të përsëritem, por duhet thënë prapë: aksesi te shteti në Shqipëri nuk është i paanshëm. Në shkrimet e mëparshme kam dhënë dy shembuj konkretë. Po e sjell sërish njërin.
Ta zëmë se ju dhe fqinji vendosni të rindërtoni gardhin ndarës që është rrënuar. Hidhni llaçin, por inspektorët bashkiakë që po kalojnë “rastësisht” në rrugë, vijnë dhe ju kërkojnë lejen e ndërtimit. Leja kërkon një mal me dokumente: duhet marrë një inxhinier ndërtimi që të projektojë murin dhe të përcaktojë saktë kufijtë. Pastaj ai duhet të përgatisë një preventiv, që bashkia të llogarisë taksën. Më pas duhet të dorëzojë dokumentet e noterizuara në bashki dhe t’i ngarkojë të njëjtat dokumente në e-Albania (që shpesh gjendet e “hackeruar”). Pastaj bashkia duhet t’i miratojë dhe vetëm atëherë mund të fillojë puna. Që në hapin e parë e kuptoni se, edhe po t’i bëni të gjitha këto, dosja do të rrijë gjatë pa përgjigje sapo të mbërrijë në bashki dhe të ngarkohet në sistem. Atëherë shfaqet sërish patronazhisti i lagjes. Ai njeh njerëz në bashki. Mjafton t’i jepni dosjen dhe një “kafe” për mundin e tij dhe të punonjësve që duhet ta përshpejtojnë lejen; brenda pak ditësh mund të nisni ndërtimin.
Ndërmjetësin e lagjes e emëron një funksionar partie, ai i jep llogari eprorit, e kështu me radhë deri lart. Në thelbin e mekanizmit qëndron gjithnjë e njëjta gjë: aksesi për shërbime që në një vend normal do të ishin të papolitizuara. Shembulli flet për leje ndërtimi, por lista s’ka fund. Punësimi në administratë, tenderat, koncesionet, ligji që zbatohet me dy standarde, mbrojtja nga hetimi, dera e hapur te politikani. Ndërmjetësi e kthen këtë akses në përfitim për vete dhe për të vetët. Në këmbim, sjell votën dhe jep haraçin tek eprori. Marrëveshja është e thjeshtë dhe e pashkruar: unë të hap ty derën e shtetit, ti e kthen në përfitim vetjak financiar, dhe si shkëmbim më jep votat.2
Mercenarët
Një strukturë e tillë përcakton se kush ngrihet në detyrë brenda partisë. Është, në thelb, problem përzgjedhjeje. Politikani këtu nuk caktohet se di të kopsisi probleme administrative, se harton politika apo se përfaqëson zonën. Zgjidhet se di ta kthejë aksesin në vota. Një politikani i kërkohet aftësia për të shfrytëzuar burimet financiare të shtetit, për të mbajtur në dorë vende pune dhe kontrata, për të ndarë favore, për kontrolluar politikisht komunitetin dhe, në fund, për të prodhuar rezultat elektoral. Përmirësimi i mbarëvajtjes së shtetit nëpërmjet politikave publike nuk hyn fare në llogari. Përzgjidhen, pra, njerëz që dinë ta shndërrojnë aksesin tek shteti në votë për partinë. Kaq. Po e bëre mirë këtë punë, je brenda. Prandaj listat elektorale janë praktikisht të mbyllura: partia nuk e lejon dot votuesin t’ia prishë përzgjedhjen. Lista vërtet të hapura do ta çmontonin këtë lloj mekanizmi.
Ky lloj sistemi krijon një varësi të trefishtë. Mercenari varet nga qeveria për akses. Qeveria varet nga mercenari për vota. Qytetari varet nga të dy, sepse institucioni nuk është i paanshëm. Dhe pikërisht kjo e bën qeverinë të dobët. Institucionet nuk i bën dot të pavarura, se humbet mercenarët dhe bashkë me ta mbështetjen. Që të sqarohemi: nuk po them se qeveria po kërkon të reformohet. Po them se, edhe sikur të donte të reformohej, nuk e bën dot. Fuqia i vjen pikërisht nga zbatimi selektiv i rregullave. Po ia hoqe këtë si vegël, koalicioni shpërbëhet.
Ky lloj sistemi krijon jetëgjatësi. Institucionet e dobëta e bëjnë qytetarin të varur nga dera e qeverisë. Varësia forcon mercenarin. Mercenari i sjell partisë fitoren. Dhe partia, kur fiton, dobëson institucionet edhe më. Kështu janë fituar katër mandate radhazi. Kjo është situata që protestat po nxjerrin në shesh, dhe shpjegon pse qeveria dhe protestuesit nuk flasin dot me njëri-tjetrin: njëra palë kërkon llogari, tjetra llogarit probabilitetin e mbijetesës. Nga jashtë duket sikur qeveria s’ta var fare. Në të vërtetë ka gjasa të jetë duke ruajtur, me gjakftohtësi të plotë, rrjetin që e mban në pushtet.
Kurthi për Qeverinë
Qeveria ka tre rrugëdalje, por asnjëra nuk është tërheqëse.
Reformë e vërtetë. E mundur teorikisht, e pagjasë në praktikë, sepse do të përzinte mercenarët. Ja pse i quajta pikërisht mercenarë. Nuk janë aty për ndonjë ideal. Janë aty se paguhen. Në momentin që nuk i paguan më, largohen si minjtë nga anija që po fundoset. Besnikëri kanë vetëm ndaj lekut. Hiqja lekun dhe s’u mbetet asnjë arsye për të qëndruar.
Lëshime të pjesshme. Të mundshme, por me këtë reputacion, të vështira. Nëse rrjeti mbetet i paprekur, besueshmëria e reformave është e ulët.
Mbajtja nën kontroll. Qeveria mund thjesht të presë që protestat të mbarojnë, me shpresën se do të lodhen dhe se vëmendja ndërkombëtare do të shkojë gjetiu. Ndërkohë u vë në dyshim legjitimitetin protestuesve, i përçan, blen ndonjë emër me zë, mbështetet te administrata dhe te policia. Dhe hedh ndonjë ndryshim kozmetik, sa për t’i thënë Brukselit se diçka po lëviz. Kjo duket të jetë strategjia e sotme, me fare pak efekt. Kur të mos ecë as kjo, dhuna do të duket gjithnjë e më joshëse. Ka gjasa që ky të jetë hapi vijues.
Një sistem që shkëmben aksesin me vota nuk ka si t’u përgjigjet qytetarëve që kërkojnë ta depolitizojnë aksesin. Një reformë serioze do të ndryshonte vetë marrëdhënien mes qeverisë dhe qytetarit, dhe do të shembte themelin mbi të cilin është ngritur koalicioni.
Qeveria, pra, mund t’u mbijetojë protestave me vonesa, me përçarje ose me dhunë. Por përgjigje nuk u jep dot pa hequr lëkurën e mercenarit. Por pa atë lëkurë, nuk mbetet qeveri.
...si përpjekja e sotme, e quajtur Besa. S’do të ndalesha gjatë, sepse duket taktikë për të hequr vëmendjen. Mjafton të themi se protestat i kundervihen një krize korrupsioni, pushteti të përqendruar dhe institucionesh të dështuara. Ndërsa qeveria e paraqet krizën si problem komunikimi dhe mosangazhimi, që nuk është.


